isaia 11 - Libra të Dhiatës së Vjetër të përkthyera në dialektin tosk nga Konstandin Kristoforidhi në 1884 (tra1 Edhe do të dalë shkop nga trungu i Jesseut, edhe do të hipënjë degë nga rrënjat’ e ati; 2 edhe fryma e Zotit do të prëhetë mb’ atë, frymë diturie e urtësie, frymë këshille e fuqie, frymë mëndëje e frike të Zotit. 3 Edhe do t’e bënjë atë mënt-hollë ndë frikët të Zotit, kaqë sa nukë do të gjukonjë pas të parit syvet ti, as nukë do të qërtonjë pas të dëgjuarit veshëvet ti, 4 po do të gjukonjë të vobeqtë me dreitëri, edhe do të mburonjë të përunjurit’ e dheut me të dreitë, edhe do t’i bierë dheut me shkopin’ e golësë ti, edhe me frymën’ e buzëvet ti do të vrasë të paudhinë. 5 Edhe brezi i mesit ati do të jetë dreitëri, edhe brezi i brinjëvet ati (do të jetë) besë. 6 Edhe ulku do të rri bashkë me qëngjinë, edhe leopardhalla do të prëhetë bashkë me kedhinë, edhe demi e këlyshi i leonit, edhe (berri) i ushqyerë (do të rrinë) bashkë, edhe një çun i vogëlë do t’u heqë udhën’ atyreve. 7 Edhe mëshqerra e arushka do të kullosënë bashkë, edhe këlysht’ e atyreve do të prëhenë bashkë, edhe leoni do të hajë kashtë posi kau. 8 Edhe foshnja që pi sisë do të losnjë ndë vërët të beronjësë, edhe diali i cvierdhurë do të vërë dorën’ e ti ndë folet të nepërkësë. 9 Nukë do të bënjënë keq, as nukë do të prishnjënë mbë gjithë malinë t’im të shënjtëruarinë, sepse dheu do të jetë plot me të njohurit’ e Zotit, posi ujëtë që mbulon detinë. 10 Edhe atë ditë do të jetë një rrënjë e Jesseut, e cila do të rri për shenjë të gjëndëjevet; nd’ atë do të mpshtetenë kombatë, edhe të prejturit’ e ati do të jetë lavdi. 11 Edhe atë ditë Zoti do të vërë dorën’ e ti prap për së dyti herë, që të marrë përsëri të mbeturit’ e gjëndëjesë ti, që ka mbeturë nga Assyria e nga Egjyftëria, e nga Pathrosi, e nga Kushi, e nga Ellami, e nga Shinari, e nga Hamathi, e nga dheujësat’ e detit. 12 Edhe do të ngrerë shenjë ndër kombat, edhe do të mbëledhë Israilinë që është hedhurë tej, edhe do të mbëledhë Judhënë që është përndarë nga të katrë anët’ e dheut. 13 Edhe smirri i Efraimit do të hiqetë, edhe arëmiqt’ e Judhësë do të pritenë, Efraimi nukë do t’i ketë smirr Judhësë, edhe Judha nukë do të shtrëngonjë Efraimnë. 14 Po do të sulenë mbi malet të Filistejvet nga an’ e të perënduarit, edhe do të plaçkitnjënë edhe të bijt’ e anësë lindëjesë bashkë; do të vënë dorën’ e tyre mbi Edomin’ e mbi Moabinë, edhe të bijt’ e Ammonit do t’ unjënë kryetë ndën’ ata. 15 Edhe Zoti do të thanjë gluhën’ e detit Egjyftërisë, edhe me anë të erësë fortë do të tuntnjë dorën’ e ti mbi lumt, edhe do t’i bierë ati mbë shtatë rryma, edhe do të bënjë të shkonjënë ndëpër atë me këpucë. 16 Edhe do të jetë udh’ e gjërë për ata që kanë mbeturë nga gjëndëja e ati, që do të mbesë nga Assyria, sikundrë ishte nd’ Israilt atë ditë që u ngjit nga Egjyftëria. |
Old Testament books in Tosk by Kostandin Kristoforidhi (transliteration from Greek to Latin) 1884
© Interconfessional Bible Society of Albania
Libra të Dhiatës së Vjetër të përkthyera në dialektin tosk nga Kostandin Kristoforidhi në 1884 (transliterim nga gërmat greke në latine) © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë
Interconfessional Bible Society of Albania