Aanlyn Bybel

- Advertensies -

Mateu 8 - Dhiata e Re në Gegnisht


Shërimi i të gërbulunit

1 Kur zbriti nga mali, i shkuen mbrapa turma të mëdhaja.

2 Dhe, ja, një i gërbulun iu avit e u përkul para tij, tue thanë: «O Zot, po të duesh, ti mundesh me më dlirë».

3 Ai shtriu dorën, e preku e tha: «Due, le të bahesh i dëlirë». E menjëherë iu dëlir gërbula.

4 Mandej Jezusi i tha: «Shih se mos i thue kujt, por shko me iu dëftue priftit dhe paraqit kushtimin që urdhnoi Moisiu, si dëshmi për ta».


Shërimi i shërbëtorit të kryeqindshit

5 Kur ai hyni në Kafarnaum, iu afrue një kryeqindsh, tue iu lutë

6 e tue i thanë: «Zot, shërbëtori im dirgjet në shtëpi i paralizuem,, me mundime të mëdha».

7 E ai i tha: «Vij unë dhe e do ta shëroj».

8 Kryeqindshi i tha: «Zot, Nuk jam i ndenjë që ty hysh nën pullazin tim, por vetëm thuej një fjalë e do të shëndoshet.

9 Se edhe unë njeri nën një pushtet dhe, tue pasë ushtarë nën vete, i then njanit: "Eja!" e ai vjen dhe tjetrit: "Bane këtë!" e ai e ban».

10 Mbasi Jezusi ndëgjoi, u mahnit e u tha atyne që po e ndiqnin: «Vërtet po ju them: te askush në Izraeli nuk e kam gjetë një besim kaq të madh.

11 Porse, po ju them se shumë do të dalin nga lindja e nga perëndimi e do të shtrohen me Abrahamin, me Isakun e Jakobin në mbretninë e qiejve,

12 kurse bijtë e mbretnisë do të flaken në terrin e përjashtëm. Atje do të ketë vajtim e kërcëllim dhambësh».

13 Atëherë Jezusi i tha kryeqindshit: «Shko. Të ndodhtë siç besove!». Dhe iu shërue shërbëtori në atë kohë.


Shërimet te shtëpia e Pjetrit

14 Kur hyni në shtëpinë e Pjetrit, vuni re vjehrrën e tij të dergjun në shtrat e me zjarrmi.

15 Ai i preku dorën e asaj i ra zjarrmia. Atëherë u çue e i shërbente.

16 Kur ra mbramja, i sollën shumë të djallosun. Ai i dëboi shpirtënt me anë të fjalës dhe shëroi të gjithë ata që kishin lëngata,

17 aq sa u plotësue çka qe thanë me anë të Isaisë profet: Ai i mori dobësitë tona, edhe sëmundjet i barti.


Jezusi, mësues i lirë

18 Tue pa rreth vetes një turmë të madhe, urdhnoi me kalue matanë.

19 Një shkrues iu avit e i tha: «Mësues, do të të ndjek kudo të shkosh».

20 Jezusi i tha: «Dhelpnat kanë strofuj e zogjtë fole, por biri i njeriut nuk ka ku me e mbështetë kryet».

21 Dikush tjetër prej nxanësve i tha: «Zot, më jep leje të shkoj me varrosë ma parë tim atë».

22 Por Jezusi i tha: «Më ndiq mue e leni të vdekunit të varrosin të vdekunit e vet».


Qetësimi i stuhisë

23 Atëherë hyni në lundër dhe nxanësit e vet e ndoqën.

24 E, ja, një shtërngatë e madhe u çue në liqen, aq sa lundrën e mbuluen dallgët. Por ai po flinte.

25 U afruen, e zgjuen e i thanë: «Zot, shpëtona! Po rroposemi».

26 E ai u tha: «Çka keni frikë, o besimpaktë?». Atëherë u çue, i bërtiti erës e detit dhe ra një fashitje e thellë.

27 Njerëzit u mahnitën e thanë: «Çka asht ky, që po i binden edhe era edhe deti?».

28 Kur mbërriti matanë, në krahinën e gadarenëve, ndeshi në dy të djallosun, që po dilnin prej varreve. Ata ishin fort të dhunshëm, aq sa askush nuk mundte me kalue asaj udhe.

29 Dhe, ja, vikatën e thanë: «Çka ka mes nesh e teje, o Bir i Hyut? A erdhe me na mundue para kohe?».

30 Larg tyne gjendej një tufë e madhe derrash tue kullotë.

31 Atëherë i thanë: «Nëse na dëbon, na ço te tufa e derrave».

32 Ai u tha: «Shkoni!». Ata dolën e hynë te derrat. Dhe, ja, tanë tufa u turr nga rrëpina në liqen e u mbytën në ujë.

33 Çobanët morën arratinë e shkuen në qytet me u tregue të gjithëve në lidhje me të djallosunit.

34 Dhe, ja, tanë qyteti i doli para Jezusit, por, kur e panë, iu lutën të largohej prej viseve të tyne.

This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania

Interconfessional Bible Society of Albania
Volg ons:



Advertensies