Mateu 6 - Dhiata e Re në GegnishtLëmosha 1 «Kujdes! Mos e kryeni drejtësinë tuej faqe njerëzve, me qëllim që ata t'ju vërejnë. Përndryshe nuk do të keni shpërblim prej Atit tuej që asht në qiej. 2 Prandaj, kur të japësh lëmoshë, mos i fryj borisë para vetes, sikurse bajnë skuthat nëpër sinagoga e nëpër rrugë, që të lëvdohen prej njerëzve. Vërtet po ju them: e kanë marrë shpërblimin e vet. 3 Por ti, kur të japësh lëmoshë, mos ta dijë e majta çka ban e djathta, 4 që lëmosha jote të metet në mshehtësi. E Ati yt, që shikon në mshehtësi, ka me ta kthye». Lutja 5 «Kur të luteni, mos u bani si skuthat, të cilëve ua ka anda me u lutë më kambë nëpër sinagoga e nëpër udhëkryqet e shesheve, për me u dukë para njerëzve. Vërtet po ju them: e kanë marrë shpërblimin e vet. 6 Por ti, kur të lutesh, hyn në dhomën tande të mshehtë e, mbasi ta kesh ndrye derën tande, lutju Atit tand në mshehtësi. E Ati yt, që shikon në mshehtësi, do të të shpërblejë. 7 Kur të luteni, mos thoni fjalë të kota, si kombet. Ata pandehin se do të ndigjohen prej fjalëve të tyne të shumta. 8 Mos u përngjani atyne. Aty juej e din për çka keni nevojë para se t'ia kërkoni. 9 Prandaj ju lutuni kështu: Ati ynë, që je në qiej, u shejtnoftë emni yt, 10 ardhtë mbrentia jote, u baftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë. 11 Bukën tonë të mbiqenësishme na e jep sot. 12 Na i fal detyrimet tona, sikurse edhe ne ua falim detyruesve tanë. 13 E mos na ven në sprovë, por na liro nga i ligu. 14 Se, nëse ua falni njerëzve shkeljet e tyne, Ati juej qiellor do t'jua falë edhe juve. 15 Por, nëse nuk ua falni njerëzve, as Ati juej nuk du t'jua falë shkeljet tueja». Njinesa 16 «Kur të njinoni, mos u vrani si skuthat. Ata i ngërdheshin fytyrat për me u dukë para njerëzve se janë tue njinue. Vërtet po ju them: e kanë marrë shpërblimin e vet. 17 Por ti, kur të njinosh, lyeje kryet me voj e dlire fytyrën, 18 që të mos dukesh tue njinue para njerëzve, por para Atit tand në mshehtësi. E Ati yt, që sheh në mshehtësi, do të të shpërblejë». Thesari në qiell 19 «Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku tenja e ndryshku brejnë e ku vjedhësit depërtojnë e vjedhin, 20 por mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja, as ndryshku nuk brejnë e ku vjedhësit nuk depërtojnë, as vjedhin. 21 Se, ku asht thysari yt, aty asht edhe zemra jote». Drita e trupit 22 «Drita e trupit asht syni. Prandaj, po të jetë shëndosh syni yt, tanë trupi yt do të jetë i shndritun. 23 Por, po të jetë keq syni yt, tanë trupi yt do të jetë i errët. Atëherë, nëse drita që asht në ty asht terr, sa do të jetë errësina!». Dy zotnitë 24 «Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotnive, se, ose njenin do ta urrejë e tjetrin do ta dojë, ose njenit do t'i përkushtohet e tjetrin do ta shpërfillë. Nuk mund t'i shërbeni Hyut e mamonës». Ngushtimet e brengat 25 «Prandaj po ju them: mos u angështoni për jetesën tuej, se çka të hani e çka të pini. As për trupin tuej, se çka të vishni. A nuk asht jeta diçka ma shumë se ushqimi e trupi se petku? 26 Vëreni zogjtë e qiellit, që nuk mbjellin, nuk korrin, nuk grumbullojnë nëpër qilarë dhe Ati juej qiellor i ushqen. A nuk vleni ju ma shumë e ata. 27 Kush prej jush, tue u angshtue, mund t'i shtojë një pëllambë jetëgjatësisë së vet? 28 E për petkun, pse angshtoheni? Vrojtoni lilat e arës si rriten. Nuk mundohen, as thurin. 29 Por unë po ju them se as Solomoni në tanë lavdinë e vet nuk ishte mbështjellë si njëni prej tyne. 30 Nëse Hyu e stolis kështu barin e arës, që sot asht e nesër hidhet në furrë, a nuk do të bajë shumë ma shumë për ju, besimpaktë? 31 Mos u angshtoni, pra, tue thanë: "Çka të hamë?", apo: "Çka të pimë?", apo: "Çka të veshim?". 32 Të gjitha këto i kërkojnë kombet. Ati juej qiellor e din se keni nevojë për të gjitha këto. 33 Kërkoni ma parë mbretninë e Hyut e drejtësinë e tij dhe ai do t'jua japë shtesë edhe të gjitha këto. 34 Mos u angshtoni, pra, për të nesërmen, se e mesërmja angshtohet vetë për veten». |
This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania
Interconfessional Bible Society of Albania