Mateu 4 - Dhiata e Re në GegnishtSprova e Jezusit 1 Në atë kohë Jezusi u ngjit në shkretinë i shtymë prej Shpirtit të Shenjtë, për me u sprovue prej djallit. 2 Agjënoi katërdhjetë ditë e katërdhjetë net e mandej pati uri. 3 Atëherë iu afrue sprovuesi e i tha: «Nëse je Bir i Hyut, urdhno që këta gurë të bahen bukë». 4 Por Jezusi u përgjigj e tha: «Asht e shkrueme: Je vetëm prej bukës jeton njeriu, por prej çdo fjale që del prej gojës së Hyut». 5 Atëherë djalli e mori në qytetin e shenjtë dhe e vuni mbi kulmin e tempullit. 6 Mandej i tha: «Nëse je Bir i Hyut, hidhu poshtë. Asht e shkrueme: Do të urdhnojë për ty engjëjt e vet e do të të mbartin ne duer,, që kamba jote të mos hasë në gur». 7 Jezusi i tha: «Ash e shkrueme: Mos e sprovo Zotin, Hyun tand!». 8 Rishtas djalli e mori në një mal të naltë dhe i shfaqi të gjitha mbretnitë e botës me lavdinë e tyne. 9 E i tha: «Të gjitha këto do të t'i jap, nëse më adhuron me përkulje» 10 Atëherë Jezusi i tha: «Hiqu, Satan! Ash e shkrueme: Zotin, Hyun tand adhuro e vetëm atij shërbeji». 11 Atëherë djalli e la dhe, ja, iu afruen engjëjt dhe i shërbenin. Lajmi i mirë 12 Mbasi ndigjoi se Gjoni ishte dorzue, u tërhoq në Galile. 13 E la Nazaretin e u vendue në Kafarnum, pranë detit, në krahinën e Zabulonit e të Neftalimit, 14 që të plotësohej çka ishte thanë me anë të Isaisë profet: 15 Tokë e Zabuonit e tokë e Naftalimit, udhës së detit matanë Jordanit Galilea e kombeve, 16 populli që rrinte në errësinë kundroi një dritë të madhe, atyne që dirgjeshin në vendin e hijen e vdekjes u doli drita. 17 Qysh atëherë Jezusi nisi me predikue e me thanë: «Pendohuni, se u afrue mbretnia e qiejve». Thirrja e nxanëseve të parë 18 Tue shëtitë pranë detit të Galilesë, vrejti dy vëllazën, Simonin e quejtun Pjetër dhe Andrenë, vëllanë e tij, tue hjedhë rrjetat në det. Ishin peshkatarë. 19 U tha: «Ejani mbas meje e unë do t'ju baj peshkatarë njerëzish». 20 Ata i lanë fill rrjetat dhe e ndoqën. 21 Mbasi shkoi tej, vërejti dy vëllazën të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, në lundër, me Zebedeun, atin e tyne, tue arnue rrjetat e veta, dhe i thirri. 22 Ata e lanë fill lundrën dhe atin e tyne dhe e ndoqën. Takimi me turmat 23 Ai endej nëpër mbarë Galilenë, tue mësue nëpër sinagogat e tyne, tue kumtue ungjillin e mbretnisë e tue shërue çdo sëmundje e çdo ligësim në popull. 24 Atëherë i doli zani në mbarë Sirinë dhe i sollën të gjithë të lënguemit me sëmundje e mundime të ndryshme, të djallosunit, epileptikët e të paralizuemit dhe ai i shëronte. 25 E ndiqnin turma të shumta prej Galilesë e Dekapojës, prej Jerusalemit e Judesë dhe prej matanë Jordanit. |
This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania
Interconfessional Bible Society of Albania