Aanlyn Bybel

- Advertensies -

Mateu 3 - Dhiata e Re në Gegnisht


Kumti i Gjon Pagëzuesit

1 Në ato ditë u shfaq Gjon Pagëzuesi tue predikue në shkretinën e Judesë.

2 Thoshte: «Ndërroni mendje, se asht afrue mbretnia e qiejve!».

3 Ky asht ai për të cilin asht folë me anë të Isaisë profet: Një za buçet në shkretinë: gatitni udhën e Zotit, drejtoni shtijet e tij.

4 Ky asht ai Gjoni, që petkun e kishte prej leshit të devesë, me një brez lëkure rreth ijëve. Për ushqim kishte karkaleca e mjaltë të egër.

5 Asokohe dilnin tek ai Jerusalemi, tanë Judeja e mbarë rrethina e Jordanit

6 dhe pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan, tue rrëfye mëkatet e veta.

7 Tue pa se shumë farisej e saducej vinin për pagëzimin e tij, u tha: «Pjellë neperkash! Kush ju vuni në dijeni, me i ikë zemërimit që po vjen?

8 Prandaj, qitni frytin e denjë të pendimit

9 e mos t'ju shkojë mendja me thanë me vedi: "Kemi për atë Abrahamin". Unë po ju them: Hyu mundet me i qitë fëmijë Abrahamit prej këtyne gurëve.

10 Qysh tash u asht vue sëpata rranjëve të pemëve. Secila pemë që nuk jep fryt të bukur, pritet e hidhet në zjarr.

11 Veçse, unë po ju pagëzoj me ujë, për pendimin, por ai që vjen mbas meje ash ma i fortë se unë e unë nuk jam i denjë as me i heqë sandalet. Ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë e me zjarrm.

12 Ai e ka në dorë terploten e do ta dlirë lamin e vet. Do ta mbledhë grunin e vet në ahër e bykun do ta djegë në zjarrin e pashueshëm».


Pagëzimi i Jezusit

13 Atëherë mbërriti Jezusi nga Galilea në Jordan, te Gjoni, për me u pagëzue prej tij.

14 Por Gjoni e ndali e i tha: «Unë kam nevojë me u pagëzue prej teje, e ti po vjen te unë?».

15 Jezusi iu përgjigj: «Prano tash, se ne na takon me plotësue çdo drejtësi». Atëherë ai e pranoi.

16 Mbasi u pagëzue, Jezusi doli menjëherë prej ujit. E, ja, iu hapën qiejt e ai pa Shpirtin e Hyut tue zbritë porsi pëllumb e tue ardhë mbi të.

17 Dhe, ja, një za prej qielli thoshte: «Ky asht im bir, i dashtuni, ai që më pëlqen».

This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania

Interconfessional Bible Society of Albania
Volg ons:



Advertensies