Aanlyn Bybel

- Advertensies -

Mateu 27 - Dhiata e Re në Gegnisht


Jezusi para Pilati

1 Kur agoi, të gjithë kryepriftënt e pleqtë e popullit vendosën bashkarisht ta dënonin Jezusin me vdekje.

2 Mbasi e lidhën, e çuen e ia dorëzuen Pilatit, qeveritarit.


Vdekja e Judës

3 Atëherë Juda, ai që e kishte dorëzue, kur pa se dënuen, u pendue, ua ktheu tridhjetë monedhat e argjendta kryepriftënve e pleqve

4 dhe u tha: «Mëkatova, tue dorëzue gjak të pafajshëm». Ata i thanë: «Ç'na duhet neve! Shihe vetë».

5 Hodhi monedhat e argjendta në tempull, u largue dhe shkoi e u fur.

6 Kryepriftënt morën monedhat e argjendta e thanë: «Nuk lejohet me i qitë këto para kushtimore sep janë pare gjaku».

7 Atëherë morën vendim të blinin me to arën e një poçari për varrimin e të huejve.

8 Prandaj ajo arë u quejt «Ara e Gjakut», deri sot.

9 Kështu u plotësue çka qe thanë prej Jeremisë profet: Morën tridhjetë monedhat e argjendta, çmimi e të çmuemit, që u çmue nga bijtë e Izraelit,

10 e i dhanë për Arën e Poçarit, siç më kishte urdhnue Zoti.


Jezusi para Pilatit

11 Jezusi u vu para qeveritari. Qeveritari e pyeti: «A je ti mbreti i judejve?». Jezusi i tha: «Ti po thue».

12 Por, kur e paditnin kryepriftërinjtë dhe pleqtë, nuk përgjigjej fare.

13 Atëherë Pilati i tha: «A nuk po ndigjon sa çka po dëshmojnë kundër teje?».

14 Ai nuk iu përgjigj për asnjë gja, saqë e çuditi shumë qeveritarin.


Dënimi me vdekje

15 Për çdo festë qeveritari e kishte ba doke me lirue një të burgosun, atë që dëshironin.

16 Asokohe kishin një të burgosun të bujshëm, që quhej Jezu Baraba.

17 Kur u mblodhën, Pilati u tha: «Cilin doni t'ju liroj, Jezu Barabën apo Jezusin që quhet Krisht?».

18 E dinte se Jezusin e kishin dorëzue nga smira.

19 Ndërsa ishte ndejë në gjykatore, e shoqja i çoi fjalë: «Mos të kesh gja me atë të drejtë, se sot kam vuejt shumë në andërr për shkak të tij».

20 Por kryepriftënt e pleqtë e bindën turmën me kërkue Barabën e Jezusin me e vra.

21 Qeveritari u tha rishtas: «Cilin prej të dyve doni me ju lirue?». Ata iu përgjigjën: «Barabën!».

22 Pilati u thotë: «Çka të baj, pra, me Jezusin që quhet Krisht?». Të gjithë i thonë: «Të kryqëzohet!».

23 Ai u tha: «Pse, ç'të keqe bani?». Por ata bërtitnin edhe ma fort: «Të kryqëzohet!».

24 Kur Pilati e pa se nuk po arrinte asgjë, përkundrazi, po fillonte rrëmuja, mori ujë, lau duert para turmës e tha: «Jam i pafajshëm për gjakun e këtij. Shiheni ju».

25 Mbarë populli u përgjigj: «Gjaku i tij raftë mbi ne e mbi fëmijët tanë!».

26 Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezusin, mbasi e fshikulluen, e dorëzoi të kryqëzohej.


Jezusi para përqeshësve

27 Atëherë ushtarët e qeveritarit e morën Jezuin në pretorium dhe bashkuen rreth tij tanë kohortën.

28 E zhveshën dhe i hodhën sipër një pelerinë të kuq.

29 Thurën një kunorë ferrash, ia vunë në krye e i dhanë një kallam në dorën e djathtë. Tue ra në gjuj para tij, e qesëndisnin e i thonin: «Të falemi, o mbreti i judejve!».

30 E pështynë, morën kallamin e ia gjuenin kresë.

31 Mbasi e qesëndisën, ia hoqën pelerinën, e veshën me petkat e veta dhe e çuen për ta kryqëzue.


Kryqëzimi

32 Tue dalë, hasën në një njeri kireneas me emnin Simon, të cilin e detyruen me i mbartë kryqin.

33 Kur shkuen te një vend, që quhet Golgota, domethanë «Vendi i Kafkës»,

34 i dhanë me pi verë të përzieme me vner, por kur i ndjeu shijen, nuk deshi me e pi.

35 Si e kryqëzuen, hodhën short për me nda petkat e tij

36 dhe u ulën e po e ruenin.

37 Mbi krye i vunë me shkrim shkakun arsyen: «Ky asht Jezusi, mbreti i judejve».

38 Atëherë kryqëzuen me të dy cuba, njenin në të djathtë e tjetrin në të majtë.

39 Kalimtarët e fyenin, tundnin kryet

40 e thonin: «Ti, që e shkatërron tempullin dhe e ndërton për tri ditë, shpëto veten, nëse je Biri i Hyut, e zbrit nga kryqi!».

41 Njësoj edhe kryepriftënt, shkrestarët e pleqtë e tallnin e thonin:

42 «Të tjerët i shpëtoi, veten nuk mundi me e shpëtue. Mbreti i Izraelit! Të zbresë tash nga kryqi e do të besojmë në të.

43 Besoi në Hyun, ta lirojë tash Hyu po deshi, meqë tha se asht Biri i Hyut!».

44 Edhe cubat, që ishin të kryqëzuem me të, e përqeshnin.


Vdekja

45 Që nga mesdita e deri në orën tre pasdite u bë errësirë në gjithë tokën.

46 Rreth orës tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: «Eli, Eli, lema sabakthani?» që do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?».

47 Disa nga ata që ishin aty kur e dëgjuan, thanë: «Ky po thërret Elinë».

48 Njëri prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e ngjeu në uthull, e vuri në një kallam e ia dha për ta pirë.

49 Të tjerët thoshin: «Prisni të shohim nëse do të vijë Elia për ta shpëtuar».

50 Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha shpirt.

51 Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë.

52 Edhe varret u hapën e shumë trupa të shenjtësh që kishin vdekur u ngjallën

53 dhe, pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë e iu shfaqën shumë njerëzve.

54 Kryeqindësi dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky qenka Biri i Perëndisë».

55 Aty gjendeshin edhe shumë gra që kishin shkuar pas Jezuit që nga Galilea dhe i kishin shërbyer. Ato po shikonin nga larg.

56 Ndër to ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe Jozefit, si dhe nëna e bijve të Zebedeut.


Varrimi

57 Kur ra mbramja, erdhi një njeri i pasun nga Arimateja, me emnin Jozef. Edhe ai kishte qenë nxanësi Jezusit.

58 Shkoi te Pilati e i lypi trupin e Jezuit. Atëherë Pilati urdhënoi t'ia jepnin.

59 Jozefi e mori trupin e Jezuit, e mbështolli me li të pastër

60 dhe e vuni në varrin e ri, që kishte hapë për vete në shkamb. Rrokullisi një gur të madh te gryka e varrit e shkoi.

61 Maria Magdalenë e Maria ishin ulun kundruell varrit.


Rojat e varrit

62 Të nesërmen, që i bie me qenë mbas të premtes, kryepriftënt e farisenjtë u mblodhën te Pilati

63 e i thanë: «Zotni, na u kujtuem se ai mashtrues pati thanë, sa ishte gjallë: “Pas tri ditësh jam i gjallë”.

64 Prandaj, urdhno të sigurohet varri deri ditën e tretë, që të mos shkojnë dishepujt e tij me e vjedhë e me i thanë popullit: “U ngjall prej të vdekunve”. E mashtrimi i mbramë do të jetë më i keq se i pari».

65 Pilati u tha: «I keni rojtarët. Shkoni e sigurojeni si të dini».

66 Ata shkuan dhe e siguruen varrin, tue e vulosë gurin me rojtarë.

This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania

Interconfessional Bible Society of Albania
Volg ons:



Advertensies