Aanlyn Bybel

- Advertensies -

Mateu 23 - Dhiata e Re në Gegnisht


Qortimet për shkrestarët e farisejtë

1 Atëherë Jezusi u tha turmave e nëxanësve:

2 «Shkrestarët e farisejtë rrinë ulun në katedrën e Moisiut.

3 Gjithçka ju thonë ata, zbatojeni e mbajeni, por mos veproni simbas veprave të tyre. Ata flasin, por nuk bajnë.

4 Lidhin barrë të randa e të zorshme dhe ua ngarkojnë njerëzve të tjerë, por vetë as me gisht nuk duen me i luejt.

5 Të gjitha veprat e veta i bajnë për me u pa prej njerëzve. Zgjanojnë thekët e cepat e petkut i zgjasin.

6 Duen kryet e vendit nëpër gosti, vendet e para nëpër sinagoga

7 përshëndetjet nëpër sheshe e me u thirrë "mësues" prej njerëzve.

8 Por ju mos u thirrni mësues, se një asht mësuesi juej e të gjithë ju jeni vëllazën.

9 E mos thirrni askënd mbi tokë atë. Një asht Ati juej qiellor.

10 Mos u thirrni prijës, se prijësi juej asht Krishti.

11 Ma i madhi ndër ju, të jetë shërbestari juaj.

12 Kush naltohet, do të përulet e, kush përulet, do të naltohet.

13-14 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej skutha, që ua ndryni njerëzve në fytyrë mbretninë e qiejve! As vetë nuk hyni, as ata që janlë tue hy nuk i leni me u futë.

15 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej skutha, që endeni nëpër det e nëpër thatinë për me ba një rishtar e atëherë e bani bir të Gehenës dyfish sa veten tuej!

16 Mjerë ju, o udhëheqës të verbtë, që thoni: "Nëse dikush betohet për tempullin, s'ka gja, por, nëse betohet për arin e tempullit, ka detyrim".

17 Të marrë dhe të verbtë! Cili asht ma i madh, ari apo tempulli, që e shejtnon arin?

18 Thoni: "Nëse dikush betohet për altarin, s'ka gja, por, nëse betohet për dhuratën mbi të, ka detyrim".

19 Të verbtë! Cili asht ma i madh, dhurata apo altari, që e shejtnon dhuratën?

20 Kush betohet për altarin, betohet për të e për gjithçka ash mbi të.

21 Kush betohet për tempullin, betohet për të e për kë banon në të.

22 Kush betohet për qiellin, betohet për fronin e Hyut e për kë rrin ulun mbi të.

23 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej skutha! Ju lani të dhjetën e mendrës, të koprës e të kuminit, por shpërfillni gjanat ma të randësishme të ligjit: gjykimin, mëshirën e besën. Këto duhet t'i zbatoni, pa i shpërfillë të tjerat.

24 Udhërrëheqës të verbtë, që kulloni mushkajën, por devenë e përpini!

25 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej skutha, dëlirni të përjashtmen kupës e të enës, por përmbrenda janë plot me cubni e shfrenim.

26 Farise i verbtë, pastro ma parë të përmbrendshmen kupës e të enës, që të bahet e dëlirë edhe përjashtmja.

27 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej skutha, që u përngjani vorreve të zbardhuna, të cilët përjashta duken të bukura, por mbrenda janë plot me eshtna të vdekunish dhe gjithfarë fëlliqësish.

28 Njësoj edhe ju përjashta u shfaqeni njerëzve të drejtë, por përmbrenda jeni deng me tinëzi e mbrapështi.

29 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej skutha, se ndërtoni vorret e profetëve e zbukuroni përmendoret e të drejtëve!

30 E thoni: "Po të kishim qenë ne në kohën e etënve tanë, nuk do të kishim qenë pjesëmarrës në gjakderdhjen e profetëve, në kohën e tyne".

31 Kështu i dëshmoni vetes se jeni bijtë e vrasësve të profetëve.

32 Mbusheni edhe ju masën e etënve tuej.

33 Gjarpij e pjellë nepërkash, si do t'i shmangeni gjykimit të Gehenës?

34 Prandaj, ja, unë po dërgoj te ju profetë, të urtë dhe shkrestarë. Disa prej tyne do t'i vritni e do t'i kryqëzoni dhe disa do t'i frushkulloni në sinagogat tueja e do t'i përndiqni nga qyteti në qytet.

35 Kështu do të reshet mbi ju tanë gjaku i drejtë i dikuem mbi tokë, prej gjakut të Abelit të drejtë, deri te gjaku i Zakarisë, birit të Barakut, që e vratë mes shejtnores e altarit.

36 Vërtet po ju them: të gjitha këto do të bien mbi këtë brezni».


Vajtimi për Jerusalemin

37 «Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët e i mbyt me gurë të dërguemit te ti! Sa herë kam dëshirue me i mbledhë tok bijtë e tu, siç i mbledh squka zogjtë e vet nën krahë, por nuk deshët!

38 Ja, shtëpia juaj do t'ju mbetet e shkretueme.

39 Po jua them: prej tashit, nuk do të më shihni ma, derisa të thoni: bekue qoftë ai që vjen në emën të Zotit!».

This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania

Interconfessional Bible Society of Albania
Volg ons:



Advertensies