Aanlyn Bybel

- Advertensies -

Mateu 22 - Dhiata e Re në Gegnisht


Shëmbëlltyra e dasmës

1 Jezusi filloi me u folë rishtas me shëmbëlltyra:

2 «Mbretnia e qiejve i ngjan mbretit që i bani dasmën të birit.

3 Çoi shërbëtorët e vet me thirrë të thirrunit në dasëm, por këta nuk deshën me ardhë.

4 Rishtas çoi shërbëtorë të tjerë, tilëve u tha: "Thoniu të thirrunve: ja, darka ime asht gati. Demat e mi dhe bagëtitë e majmuna janë therë e gjithçka asht gati. Ejani në dasmë".

5 Por ata shkuen, pa u mendue, kush në arën e vet e kush në punët e veta,

6 ndërsa të tjerët i kapën shërbëtorët e tij, i rrahën e i vranë.

7 Mbreti u idhnue, çoi ushtarët e vet, të cilët i rrënuen vrasësit dhe qytetin e tyne e dogjën.

8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: "Dasma asht gati, por të thirrunit nuk ishin të denjë.

9 Dilni, pra, nëpër udhëkryqe e thirrni në dasmë këdo që gjeni".

10 Ata shërbëtorë dolën udhëve, mblodhën gjithë sa gjetën, të këqij e të mirë e dasma u mbush plotë me gostarë.

11 Por, kur mbreti hyni me vështrue të thirrunit, pa aty një njeri që nuk ishte i veshun me petkun e dasmës

12 e i tha: "Shok, si ke hy këtu pa petkun e dasmës?". Ai meu.

13 Atëherë mbreti u tha shërbestarëve: "Lidheni kambë e duer e qiteni në terrin e përjashtëm. Atje do të ketë vajtim e kërcëllim dhambësh".

14 Shumë janë të thirrun, por pak të zgjedhun».


Tagri i Cezarit

15 Atëherë farisejtë shkuan e qitën shestën si me e zanë në kurth për fjale.

16 Çuen te ai nxanësit e tyre me disa herodianë, me i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe se udhën e Hyut e mëson me vërtetësi, pa e vra mendjen për kënd. Ti s'ke nevojë me i këqyrë njerëzit në fytyrë.

17 Na thuej, pra, çka mendon: a a lejohet me ia pague tagrin Cezarit, apo jo?».

18 Meqë Jezusi e njihte ligësinë e tyne, tha: «Pse më sprovoni, o skutha?

19 Ma diftoni monedhën e tagrit». Dhe i sollën një denar.

20 Ai u tha: «E kujt asht kjo figurë e mbishkrimi?».

21 I thanë: «E Cezarit». Atëherë u tha: «Jepni, pra, Cezarit çka i takon Cezarit dhe Hyut çka i takon Hyut».

22 Kur e ndigjuan këtë, mbetën të mahnitun dhe e lanë me shkue.


Për ngjalljen

23 Atë ditë iu afruen disa saducej, që thonë se nuk ka ngjallje, dhe e pyetën:

24 «Mësues, Moisiu ka thanë: nëse dikush vdes pa lanë fëmijë, vëllai i tij duhet t'ia marrë të shoqen, për me ia mëkambë farën vëllait të vet.

25 Ishin, ndër ne, shtatë vëllazën. I pari u martue e vdiq, por tue mos pasë lanë fëmijë dhe i la gruen e vet vëllait të vet.

26 Kështu edhe i dyti, edhe i treti, e deri te i shtati.

27 Grueja vdiq e fundit.

28 Në ngjallje, e cilit prej të shtatëve do të jetë grueja, meqë të gjithë e patën për grue?».

29 Por Jezusi u përgjigj: «Gaboheni, se nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Hyut.

30 Në ngjallje nuk do të martojnë as do të martohen, por do të jenë si engjëjt në qiell.

31 Për ngjalljen e të vdekunve, a nuk keni çka ju asht thanë prej Hyut:

32 unë jam Hyu i Abrahamit, Hyu i Isakut dhe Hyu i Jakobit. Ai nuk asht Hyu i të vdekunve, por i të gjallëve».

33 Dhe turmat hutoheshin me mësimin e tij.


Urdhnimi i madh

34 Farisejtë, kur ndigjuen se ua kishte mbyllë gojën saducejve, u mblodhën

35 dhe një prej tyne, një mësues i ligjit, e pyeti për e vue në provë:

36 «Mësues, cili asht urdhnimi ma i madh nmë ligj?».

37 Ai i tha: «Dueje Zotin, Hyun tand, me gjithë zemrën tande, me gjithë shpirtin tand dhe me gjithë mendjen tënde.

38 Ky asht i madh e i pari urdhnim.

39 I dyti ngjan me të: Dueje të afërmin tand si veten.

40 Nga këto dy urdhnime varet krejt ligji e profetët».


Biri i Davidit

41 Kur farisenjtë ishin të mbledhun, Jezusi i pyeti:

42 «Çka mendoni për Krishtin? Biri i kujt asht?». I thanë: «Biri i Davidit».

43 Jezui u tha: «Si vallë, Davidi përmes Shpirtit e thërret Zot, kur thotë:

44 i tha Zoti Zotit tim: ulu në të djathtën time derisa t'i vej armiqtë e tu nën kambët tueja?

45 Nëse Davidi e thërret Zot, si qenka biri i vet?».

46 E askush nuk mundi me i kthye fjalë, as guxoi kush me e pyetë ma.

This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania

Interconfessional Bible Society of Albania
Volg ons:



Advertensies