Aanlyn Bybel

- Advertensies -

Mateu 21 - Dhiata e Re në Gegnisht


Hymja në Jerusalem

1 Kur iu afruen Jerusalemit e mbërritën në Betfagë, në malin e Ullinjve, Jezui dërgoi dy nxanës

2 e u tha: «Shkoni në fshatin kundruell jush e menjëherë do të gjeni lidhun një gomaricë me një visk. Lirojini e m'i sillni mue.

3 Nëse ndokush ju thotë gja, thoni: "Zoti ka nevojë për ta. Do t'i nisë menjëherë"».

4 Kjo ndodhi që të plotësohej çka qe thanë me anë të profetit:

5 thuejiuni bijës së Sionit: ja, mbreti yt po vjen te ti, i butë e kaluer mbi gomaricë, e në një visk, zog të kafshës bartore.

6 Nxanësit shkuen e banë siç i urdhnoi Jezusi.

7 I grahën gomaricës me visk, hodhën petkat mbi ta dhe e ulën Jezuin mbi ta.

8 Një turmë e gjanë shtroi në rrugë petkat e veta e disa të tjerë këputnin degët e pemëve e i shtronin në rrugë.

9 Turmat që i prinin dhe ata që e ndiqnin, bërtitnin: «Hosana birit të Davidit, bekue ai që vjen në emën të Zotit, Hosana në naltësi!».

10 Kur hyni në Jerusalem, u trazue mbarë qyteti e thonin: «Kush asht ky?».

11 Turmat thonin: «Ky asht profeti Jezus, ai nga Nazareti i Galilesë».


Pastrimi i tempullit

12 Jezusi hyni në tempull e qiti jashtë të gjithë ata që ishin tue shirtë e tue ble në tempull. Përmbysi edhe tryezat e këmbyesve, edhe ndenjëset e tregtarëve të pëllumbave.

13 Dhe u tha: «Asht e shkrueme: shtëpia ime do të thirret shtëpi lutjeje, por ju batë shpellë cubash».

14 Në tempull, iu afruen të verbtë e të çalë dhe ai i shëronte.

15 Por, kryepriftënt e shkrestarët, tue pa mrekullitë që bani dhe fëmijët që thërrisnin në tempull: «Hosana Birit të Davidit!», u tërbuen

16 e i thanë: «A ndigjon çka po thonë këta?». Jezusi u tha: «Po. A nuk e keni lexue kurrë: nga goja e fëmijëve dhe e ferishteve do ta gatitësh lëvdimin?».

17 Atëher i la e doli përjashta qytetit, në Betani. E atje e kaloi natën.


Mallkimi i fikut

18 Në nadje, tue u kthye në qytet, e zuni uria.

19 Kur pa një fik anës rrugës, iu afrue, por nuk gjeti asgja, përveç gjetheve, prandaj i tha: «Mos daltë ma fryt prej teje deri në amshim!». E fiku u tha përnjëherësh.

20 Kur nxanësit e panë, u mahnitën e thanë: «Si u tha përnjëherësh fiku?».

21 Jezusi u përgjigj: «Vërtet po ju them, po të keni besim e të mos ndërdysheni, nuk do t'i bani fikut vetëm këtë, por, po t'i thoni këtij mali "çohu e hidhu në det", do të ndodhë.

22 Çkado të lypni në lutje me besim, do ta merrni».


Pushteti i Jezuit

23 Kur hyni në tempull e po mësonte, kryepriftënt e pleqtë iu afruen dhe e pyetën: «Me ç'pushtet i ban këto? Kush ta ka dhanë këtë pushtet?».

24 Jezusi u tha: «Edhe unë do t'ju pyes për një çështje. Nëse më përgjigjeni, edhe unë do t'ju them me ç'pushtet i baj këto.

25 Pagëzimi i Gjonit, prej kah vinte? Prej qiellit apo prej njerëzve?». Por ata mendonin me vete: «Po të themi "Prej qiellit", do të na thotë: "Pse, pra, nuk i besuet?".

26 Po të themi "Prej njerëzve", i druhemi turmës, se të gjithë e mbajnë Gjonin për profet».

27 Prandaj iu përgjigjen Jezusit: «Nuk e dimë». E ai u tha: «As unë nuk ju them me ç'pushtet i baj këto».


Dy djem, dy përgjigje

28 «Si mendoni? Një njeri kishte dy djem. Shkoi e i tha të parit: "Bir, shko sot e puno në vresht".

29 Ai iu përgjigj: "Nuk due". Por, mbasandej, u ndërroi mendje e shkoi.

30 Shkoi te tjetri e i tha poashtu. Ai iu përgjigj: "Po, zot". E nuk shkoi.

31 Cili prej të dyve kreu vullnetin e atit?». I thanë: «I pari». Jezusi u tha: «Vërtet po ju them se tagrambledhësit dhe laviret shkojnë para jush mbretërinë e Hyut.

32 Se erdhi Gjoni te ju në udhën e drejtësisë, por nuk i besuet, mirëpo tagrambledhësit dhe laviret i besuen. Ndërsa ju patë e nuk ndërruet mendje mandej, për me i besue».


Vreshtarët e mbrapshtë

33 «Ndigjoni një tjetër shëmbëlltyrë. Një kryeshtëpiak mbolli një vresht, i vuni gardhin rrotull, hapi një gropë për tork, nëdrtoi një kullë, ua dorëzoi bujqve dhe u nis për udhë.

34 Kur u afrue koha e të vjelave, dërgoi shërbëtorët e vet te bujqit, me marrë të vjelat e veta.

35 Por bujqit i morën shërbëtorët e tij dhe dikë e rrahën, dikë e vranë e dikë e mbytën me gurë.

36 Prapë u dërgoi shërbëtorë të tjerë, ma shumë se të parët, popr vepruen njësoj me ta.

37 Në fund u dërgoi të birin, tue thanë: "Me tim bir do të sillen mirë".

38 Por, bujqit, kur panë birin, thanë me vete: "Ky asht trashëgimtari. Ejani ta vrasim e të marrim në pronë trashëgiminë e tij".

39 E kapën, e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë.

40 Kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t'u bëjë këtyne bujqve?».

41 Ata i thanë: «Do t'i rrënojë keqas dhe vreshtin do t'ua japë bujqve të tjerë, të cilët që do t'ia dorëzojnë të vjelat në kohën e tyne».

42 Jezusi u tha: «A nuk keni lexue kurrë në Shkrime: guri, që ndërtuesit e përjashtuen, u ba guri i qoshes. Prej Zotit erdhi kjo dhe asht mahnitëse për sytë tanë?».

43 Prandaj po ju them: «Mbretnia e Hyut do t'ju hiqet juve e do t'i jepet një kombi që do t'ia qesë.

44 Kush bjen mbi këtë gur, do të copëtohet. Nëse ai bjen mbi dikënd, do ta shtypë».

45 Kur kryepriftënt dhe farisejtë i ndigjuan shëmbëlltyrat e tij, e morën vesh se po fliste për ta

46 dhe lypnin me e kapë, por u trembeshin turmave, që e mbanin për profet.

This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania

Interconfessional Bible Society of Albania
Volg ons:



Advertensies