Mateu 2 - Dhiata e Re në GegnishtMbërritja e të urtëve 1 Mbasi Jezusi u lind në Betlehem të Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja, disa magjistarë nga lindja mbërritën në Jerusalem 2 dhe pyetën: «Ku ndodhet mbreti i judejve, që ka lindë. Pamë yllin e tij në lindje dhe erdhëm me e adhurue». 3 Kur mbreti herod mori vesh, u tremb ai e mbarë Jerusalemi me të. 4 Bashkoi të gjithë kryepriftënt dhe shkrojsat e popullit, që të hulumtonin ku duhej të lindte Krishti. 5 Ata i thanë: «Në Betlehem të Judesë. Kështu shkruen profeti: 6 E ti, Betlehem, truell i Judesë, s'je kurrsesi ma i vogli ndër prijësit e Judës, se prej teje do të dalë një prijës, që do ta kullosë popullin tim, Izraelin». 7 Atëherë Herodi, tinëz, thirri magjistarët dhe mori vesh prej tyne me hollësi kohën kur ishte dukë ylli. 8 I nisi në Betlehem e u tha: «Shkoni e hetoni imtësisht për foshnjen. Sapo ta gjeni, më njoftoni, që të vij edhe unë me e adhurue». 9 Ndigjuen mbretin e shkuen. Dhe, ja, ylli që kishin pa në lindje po u printe, derisa erdhi e u ndal sipër vendit ku ishte foshnja. 10 Kur panë yllin, u banë shend e verë. 11 Hynë në shtëpi dhe panë foshnjen me Marinë, nanën e tij. Atëherë u përkulën dhe e adhuruen. Hapen thesaret dhe i parashtruen dhurata: ar, kem e mirrë. 12 Të joftuem në andërr mos me u kthye te Herodi, u larguen drejt vendit të tyne nëpër një tjetër rrugë. Arratisja në Egjipt 13 Mbasi u nisën, ja, një engjëll i Zotit iu duk në andërr Jozefit e i tha: «Çohu, merr foshnjen me nanën e tij, shko në Egjipt e rri atje der kur të them unë. Herodi po e kërkon foshnjen për me e vra». 14 Ai u çue, mori foshnjen me të amën që me natë dhe u largue për në Egjipt. 15 Ndejti atje deri ku i erdhi fundi Herodit, që të plotësohej çka kje thanë prej Zotit me anë të Profetit: Prej Egjiptit e thirra tim bir. Therja e foshnjeve 16 Kur Herodi e kuptoi se magjistarët ishin tallë me të, u tërbue së tepri dhe nisi një dërgatë me vra të gjitha foshnjet dy vjeç e poshtë, në Betlehem e në të gjitha rrethinat e tij, në përkim me kohën që e dinte hollësisht prej magjistarëve. 17 Atëherë u plotësue çka kje thanë prej Jeremisë profet: 18 Një za u ndie në Ramah, vaj e gjamë e madhe. Rakela vajton fëmijët e vet e nuk don me u ngushëllue, se nuk janë ma. Kthimi nga Egjipti 19 Kur Herodit i erdhi fundi, ja, një engjëll i Zotit iu duk në andërr Jozefit, në Egjipt, 20 e i tha: «Çohu, merr foshnjen me nanën e saj dhe shko në Izrael. Ata që kërkonin t'ia merrnin shpirtin foshnjes kanë vdekë». 21 Ai u çue, mori foshnjen me të amën dhe hyni në dheun e Izraelit. 22 Kur ndigjoi se Arkelau mbretnonte në Jude në vend të atit të vet Herodit, drujti me shkue atje. Atëherë u njoftue në andërr me shkue në krahinën e Galilesë. 23 Shkoi e banoi në qytetin e quejtun Nazaret, që të plotësohej çka kje thanë prej profetëve: «Do të thirret nazareas». |
This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania
Interconfessional Bible Society of Albania