Aanlyn Bybel

- Advertensies -

Marku 1 - Dhiata e Re në Gegnisht

1 Fillimi i kumtit të mirë të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit,

2 sikurse asht shkrue te profeti Isaia: Ja, po dërgoj engjëllin tim para teje i cili do të përgatisë udhën tande.

3 Zani i dikujt që thërret në shkretinë: Bani gati udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij.

4 Në shkretinë u shfaq Gjon Pagëzuesi, tue shpallë një dëlirje pendestare për faljen e mëkateve.

5 Mbarë krahina e Judesë e të gjithë jerusalemasit dilnin te ai e dëlireshin prej tij në lumin Jordan, tue i pranue mëkatet e veta.

6 Gjoni ishte i veshun me lesh deveje e me një brez lëkure rreth ijesh. Hante karkaleca e mjaltë të egër.

7 Ai shpallte tue thanë: «Po vjen një ma i fortë se unë, mbas meje. Unë nuk jam i denjë me u përkulë e me ia zgjidhë lidhëset e sandaleve.

8 Unë ju dëlira me ujë, por ai do t'ju dëlirë me Shpirtin e Shenjtë».


Pagëzimi i Jezusit

9 Ato ditë Jezusi erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u dëlir në Jordan prej Gjonit.

10 E, menjëherë, me të dalë prej ujit, pa qiejt shqyem dhe Shpirtin tue zbritë mbi të si pëllumb.

11 Një za doli prej qielli: «Ti je im bir, i dashtuni. Ti më pëlqeve».


Sprova e Jezusit

12 Dhe menjëherë Shpirti e nxori Jezusin në shkretinë.

13 Ai ishte në shkretinë katërdhjetë ditë, i sprovuem prej Satanit. Ishte me egërsinat, por i shërbenin engjëjt.


Fillimi i shërbesës

14 Mbas dorëzimit të Gjonit Jezusi erdhi në Galile, tue shpallë lajmin e mirë të Hyjit

15 e tue thanë: «U plotësue koha dhe u afrue mbretnia e Hyut. Ndërroni mendje e besoni në lajmin e mirë».


Ndjekësit e parë

16 Kur ishte tue kalue pranë detit të Galilesë, pa Simonin dhe Andrenë, vëllanë e Simonit, tue hedhë rrjetën në det, se ishin peshkatarë.

17 Atëherë Jezusi u tha: «Ejani mbas meje e do t'ju baj me u kthye në peshkatarë njerëzish»

18 E, menjëherë, me të lanë rrjetat, e ndoqën.

19 Mbasi eci edhe pak, pa Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, edhe ata në lundër, tue arnue rrjetat.

20 Dhe menjëherë i thirri. Me të lanë atin e tyne, Zebedeun, në varkë me mëditësit e vet, shkuen mbas tij.


Dëbimi i shpirtit të ndytë

21 Atëherë shkuen në Kafarnaum e, menjëherë, të shtunën, hyni në sinagogë e ai po jete një mësim.

22 Ata habiteshin me mësimin e tij, se ishte tue i mësue si një që ka pushtet e jo si shkruesit.

23 Dhe, menjëherë, sinagogën e tyne ishte një njeri me një frymë të papastër, cili bërtiti

24 tue thanë: «Çka ke me ne, o Jezus Nazaretasi? A erdhe me na shkatërrue? E di kush je: shenjti i Hyjit».

25 Por Jezusi e kërcënoi e i tha: «Mej e dil prej tij!».

26 Atëherë fryma e papastër e shkundulloi dhe, mbasi bërtiti me za të naltë, doli prej tij.

27 Ata u mahnitën të gjithë dhe pyetnin njani-tjetrin: «Çka asht kjo gja? Nji mësim i ri, me pushtet! Edhe shpirtënt e papastër i urdhnon dhe e ndëgjojnë».

28 E i doli zani menjëherë kudo, në të gjithë krahinën e Galilesë.


Në shtëpinë e Pjetrit

29 E menjëherë, me të dalë nga sinagoga, hynë në shtëpinë e Simonit e të Andresë, me Jakobin dhe Gjonin.

30 Vjehrra e Simonit dirgjej prej zjarrmisë dhe i treguen menjëherë për të.

31 Sapo u afrue, e ngriti, tue e marrë për dore. Zjarrmia i ra dhe ajo u shërbente.

32 Kur u ba mbramje, mbasi kishte perëndue dielli, sollën tek ai të gjithë ata që kishin lëngata e të djallosunit.

33 Mbarë qyteti ishte mbledhë te dera.

34 Ai shëroi shumë nga ata që kishin lëngata të ndryshme dhe dëboi shumë djaj. Djajtë nuk i la me folë, se e njihnin.


Predikimi në Galile

35 Në ag, kur terri ishte ende i dendun, u çue, doli, shkoi në një vend të vetmuem e atje u lut.

36 Simoni dhe ata që ishin me të e gjurmuen.

37 Kur e gjetën i thanë: «Të gjithë të kërkojnë».

38 Ai u tha: «Të shkojmë tjetërkund, në katundet e afërme, që të predikoj edhe atje, se prandaj dola».

39 E shkoi tue predikue nëpër sinagogat e tynë, në mbarë Galilenë, e tue debue djajtë.


Pastrimi i të gërbulunit

40 Atëherë erdhi tek ai një i gërbulun, tue e thirrë, tue u gjunjëzue e tue i thanë: «Po të duesh, ti mundesh me më pastrue».

41 Ai u mallëngjye, shtriu dorën, e preku e i tha: «Due. Kjosh pastrue!».

42 E menjëherë u largue prej tij gërbula dhe ai u pastrue.

43 Atëherë e porositi, e nisi menjëherë

44 e i tha: «Shih se mos i thue kujt, por shko, paraqitu tek prifti dhe kushto për pastrimin tand çka ka urdhnue Moisiu, si dëshmi për ta».

45 Por, me të dalë, filloi me e shpallë fort dhe me e hapë fjalën, saqë ai nuk mundte ma me hy në qytet haptas, por ndenji përjashta, në vende të vetmueme, por vinin tek ai prej gjithkah.

This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania

Interconfessional Bible Society of Albania
Volg ons:



Advertensies