Aanlyn Bybel

- Advertensies -

LUKËSË 1 - Dhiata e Re në Gegnisht


Parathanie

1 Tue qenë se shumë vetë janë pëpjekë me e renditë tregimin rreth veprave që u përkryen ndër ne,

2 siç na i kanë dorëzue ata që i panë vetë e që u banë krahishtues të fjalës qysh prej zanafillës,

3 ma mori mendja edhe mue, mbasi hulumtova çdo gja të kahershme me përpikmëni, me t'i përshkrue me rend, i përndritshmi Teofil,

4 që të vetëdijësohesh për patundshmëninë e fjalës me të cilën je mësue.


Lajmërimi i lindjes së Gjon Pagëzuesit

5 Në kohën e Herodit, mbretit të Judesë, qëlloi një prift me emnin Zakaria, prej rendit të Abisë, që gruen e kishte prej bijave të Aronit, me emnin Elizabetë.

6 Të dy ishin të drejtë para Hyut e silleshin paqortueshmënisht, në përkim me të gjitha ligjet e urdhnesat e Zotit.

7 Nuk kishin fëmijë, se Elizabeta ishte berojë e të dy ishin të shtymë në moshë.

8 Ndërsa po priftnonte para Hyut, kur e kishte radhën rendi i vet,

9 u zgjodh me short, në përkim me doken e priftnisë, me hye në shejtnoren e Zotit, për me djegë kemin.

10 Tanë bashkësia ishte tue u lutë jashtë shejtnores, gjatë djegjes së kemit.

11 Një engjëll i Zotit iu shfaq, tue qëndrue në të djathën e altarit të kemit.

12 Zakaria u tut, kur e pa, dhe e zuni frika.

13 Por engjëlli i tha: «Mos u tremb, Zakari, se t'asht ndigjue lutja e grueja jote, Elizabeta, do të lindë një bir e ti do t'ia vejshë emnin Gjon.

14 Do të kesh gëzim e hare dhe shumë vetë do t'i gëzohen lindjes së tij.

15 Ai do të jetë i madh para Zotit e nuk do të pijë venë, as pije dehëse dhe do të jetë i përplotësuem me Shpirtin e Shenjtë qysh në barkun e së amës.,

16 Shumë prej bijve të Izraelit ka me i kthye kah Zoti, Hyu i tyne.

17 Do të avitet para tij me shpirtin dhe fuqinë e Elisë, për me i kthye zemrat e etënve kah bijtë dhe të pabindunit në urtinë e të drejtëve, për me i përgatitë Zotit një popull të pajisun».

18 Zakaria i tha engjëllit: «Si do ta kuptoj këtë, se unë jam i plakun e grueja ime e shtyeme në moshë?».

19 Engjëlli iu përgjigj: «Unë jam Gabrieli, ai që asht pranishëm para Hyut, dhe u dërgova me folë me ty e me të sjellë këto njoftime të gëzueshme.

20 Dhe, ja, do të mbetesh heshtan e i paaftë me folë deri ditën kur do të ndodhin këto, se nuk u tregove besues ndaj fjalëve të mia, të cilat do të plotësohen në kohën e tyne».

21 Populli ishte tue e pritë Zakarinë dhe habitej për vonesën e tij në shejtnore.

22 Por, kur doli, nuk ishte i aftë me u folë, prandaj e kuptuen se kishte pa një vegim në tempull. Ai rrinte tue u ba shenja dhe mbette memec.

23 Kur iu plotësuen ditët e shërbesës, shkoi në shtëpinë e vet.

24 Mbas këtyne ditëve, Elizabeta, grueja e tij, mbeti shtatzanë, por ndejti tue u mshehë për pesë muej e thoshte:

25 «Kështu veproi Zoti me mue, në kohën kur u shqetësue me ma heqë korinë para njerëzve».


Lajmërimi i lindjes së Jezusit

26 Në muejin e gjashtë engjëlli Gabriel u dërgue prej Hyut në qytetin e Galilesë me emnin Nazaret,

27 te një virgjen e fejueme menjë burrë me emnin Jozef, prej shtëpisë së Davidit. Emni i virgjnës ishte Mari.

28 Engjëlli hyni te ajo e tha: «Të falem, o e përhirueme! Zoti me ty!».

29 Ajo u prek prej kësaj fjale dhe mendonte çka mund të ishte kjo përshëndetje.

30 Engjëlli i tha: «Mos u tremb, Mari, se gjete hir prej Hyut.

31 Dhe, ja, do të metesh shtatzanë, do të lindësh një bir e do t'ia vejsh emnin Jezus.

32 Ai do të jetë i madh e do të thirret Biri i të Tejnaltit. Hyu Zotdo t'i japë fronin e Davidit, Atit të tij.

33 Ai do të mbretnojë në shtëpinë e Jakobit përgjithmonë e mbretnia e tij nuk do të ketë të soson».

34 Por Maria i tha Engjëllit: «Si do të ndodhë kjo, qyshse unë nuk njoh burrë?».

35 Engjëlli iu përgjigj: «Shpirti i Shenjtë do të zbresë mbi ty e fuqia e të Tejnaltit do të të bajë hije. Prandaj edhe ai që ka me u lindë i shenjtë, do të thirret Bir i Hyut.

36 Dhe, ja, Elizabeta, kushurina jote, edhe ajo asht shtatzanë me djalë, në pleqninë e saj, e ky asht mueji i gjashtë për të, që quhej berojë.

37 Nuk ka asgja të pamundun për Hyun».

38 Atëherë Maria tha: «Ja shërbëtorja e Zotit! Me ndodhtë simbas fjalës sate!». Dhe engjëlli u largue prej saj.

39 Ato ditë Maria u çue e shkoi në malësi, në një qytet të Judesë.

40 Hyni në shtëpinë e Zakarisë e u përshëndet me Elizabetën.

41 Kur Elizabeta ndigjoi përshëndetjen e Marisë, foshnja hovi në bark dhe Elizabeta u mbbush me Shpirtin e Shenjtë

42 e bëzani me vikamë të madhe: «Je e bekueme ndër gra e i bekuem fryti i barkut tand.

43 Nga më behu mue kjo gja, të vije te unë nana e Zotit tim.

44 Ja, sapo zani i përshëndetjes sate tingëlloi në veshët e mi, foshnja hovi me hare në barkun tim.

45 Lum ajo që besoi se do të plotësohej çka iu tha prej Zotit!»

46 E Maria tha: «E madhnon shpirti im Zotimn,

47 shpirti më ngazëllen në Hyun, shpëtuesin tim,

48 se ai këqyri vogëlsinë e shërbëtores së vet e, ja, prej tash, do të m'lumnojnë të gjitha breznitë,

49 se i fuqishmi kreu madhni për mue, i shenjtë emni i tij.

50 Mëshira e tij, brez mbas brezi, për ata që e druejn.

51 Veproi pushtetshëm me krahun e vet, shpërndau ata që mburren me mendimet e zemrës,

52 zbriti pushtetarët nga froni, naltoi vegjëlinë.

53 Të unshmit i mbushi me të mira, të kamunit i nisi zbrazun.

54 Përkrahu Izraelin, shërbëtorin e vet, tue kujtue mëshirën,

55 siç u kishte thanë etënve tanë, Abrahamit e farës së tij në amshim».

56 Maria ndejti me të rreth tre muej e u kthye në shtëpinë e vet.


Lindja e Gjon Pagëzuesit

57 Elizabetësi iu plotësue koha e lindjes dhe lindi djalë.

58 Fqinjët dhe farefisi ndigjuen se Zoti kishte tregue mëshirën e vet të madhe ndaj saj dhe u gëzuen me të.

59 Ditën e tetë shkuen me e rrethpre djalin e me i vue emnin e të atit, Zakari.

60 Nana u përgjigj: «Jo, por do të quhet Gjon».

61 I thanë: «Askush prej fisit tand nuk thirret me këtë emën».

62 I banë me shenja të atit, se si donte me e quejt.

63 Ai lypi një rrasë dhe shkroi: «Gjon asht emni i tij». Të gjithë u çuditën.

64 Atij iu hap goja e iu zgjidh gjuha njëherësh dhe fliste, tue bekue Hyun.

65 Të gjithë fqinjët e tij i kaploi frika e këto ngjarje tregoheshin në mbarë krahinën e Judesë.

66 Të tanë ata që i ndigjonin, i theknin në zemër, tue thanë: «Çka do të jetë ky fëmijë?». E dora e Zotit ishte me të.


Himni i Zakarisë

67 Zakaria, i ati i tij, u mbush me Shpirtin e Shenjtë e profetizoi:

68 «Bekue qoftë Zoti, Hyu i Izraelit, se u kujdes e ia lau pengun popullit të vet.

69 E ngriti brinin e shpëtimit tonë në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

70 siç qe thanë prej shekujsh, me gojën e profetëve të tij shenjtë:

71 shpëtimin nga armiqtë tanë e nga dora e të gjithë urryesve tanë,

72 tue zbatue mëshirën me etnit tanë e tue kujtue besëlidhjen e tij të shenjtë,

73 betimin që i bani Abrahamit, atit tonë, me na dhanë mundësinë,

74 të të çliruem prej armiqve, me shërbye pa frikë,

75 me shejtni e dretësi para tij ne të gjitha ditët tona.

76 E ti, o fëmijë, profet i të naltit do të quhesh, se do të ecësh para Zotit, tue ia përgatitë udhët,

77 për me i dhanë popullit të tij dituninë e shpëtimit me anë të faljes së mëkateve të tyne,

78 falë dhembshurisë mëshirëplote të Hyut tonë, me të cilën do të na vijë në ndihmë një agim prej së nalti,

79 për me i ndriçue ata që janë në terr e të dergjun në hijen e vdekjes e me i drejtue kambet tona kah udha e paqes».

80 Djali rritej e mëkambej shpirtnisht dhe rrinte shkretinave, deri në ditën e shfaqjes së tij para Izraelit.

This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania

Interconfessional Bible Society of Albania
Volg ons:



Advertensies